IWM Network, në partneritet me NarativAI dhe Thomson Media, shpall thirrje për përzgjedhjen e 12 mediave lokale nga Maqedonia e Veriut, të cilat do të përfitojnë asistencë teknike falas, qasje në mjete profesionale të inteligjencës artificiale (IA) dhe zgjidhje konkrete për lehtësimin e punës së përditshme. Programi është konceptuar për t’i ndihmuar redaksitë e vogla të përmirësojnë sigurinë e faqeve të tyre të internetit, të organizojnë më lehtë detyrat e përditshme, të arrijnë një audiencë më të gjerë dhe të forcojnë qëndrueshmërinë e tyre.
Çfarë mbështetjeje do të përfitojnë mediat?
Ndryshe nga trajnimet klasike, ky program përqendrohet në zgjidhje të drejtpërdrejta dhe praktike. Kjo do të thotë se ekspertët jo vetëm do t’ju shpjegojnë se çfarë duhet të bëni, por do t’ju ndihmojnë drejtpërdrejt me instalimin, konfigurimin dhe zgjidhjen e problemeve teknike, në mënyrë që ju të përqendroheni te gazetaria:
- Kontroll teknik dhe i sigurisë së faqes së internetit, duke përfshirë zgjidhjen e drejtpërdrejtë të problemeve teknike urgjente;
- Përmirësime që lajmet tuaja të gjenden më lehtë përmes Google dhe kërkimit me IA (SEO/AEO);
- Qasje falas për 12 muaj në mjete profesionale të IA-së, të përzgjedhura sipas nevojave të redaksisë suaj;
- Një plan konkret me mjete dhe procese që mund ta ndihmojnë redaksinë tuaj të kursejë kohë;
- Mentorim individual dhe në grup për rritjen e audiencës dhe gjetjen e mënyrave të reja për të gjeneruar të ardhura nga media juaj;
- Trajnime online dhe një punëtori me pjesëmarrje fizike;
- Modele të gatshme falas për privatësinë, sigurinë digjitale dhe standardet mediatike, si Politika e Privatësisë, Impressum-i dhe rregullat e sigurisë digjitale.
Kush mund të aplikojë?
Thirrja u drejtohet mediave që veprojnë në Maqedoninë e Veriut dhe prodhojnë përmbajtje origjinale gazetareske për audienca lokale ose rajonale:
- Portale lokale informative online;
- Media digjitale të pavarura që raportojnë për komunitete të caktuara;
- Stacione të vogla lokale ose rajonale të radios dhe televizionit me prani online;
- Organizata mediatike rajonale që mbulojnë komuna të caktuara ose zona me informim të kufizuar lokal.
Inkurajohen veçanërisht të aplikojnë redaksitë me ekipe të vogla, nga një deri në pesë anëtarë, që nuk kanë staf të posaçëm për TI ose zhvillim digjital dhe kanë burime të kufizuara teknike dhe financiare. Gjithashtu, inkurajohen aplikime nga media të drejtuara nga gra, media që publikojnë në gjuhët e komuniteteve dhe media që raportojnë për zona rurale dhe zona me mbulim të pamjaftueshëm mediatik.
Çfarë pritet nga pjesëmarrësit?
Mediat e përzgjedhura duhet të dëshmojnë pavarësi editoriale, respektim të standardeve profesionale dhe etike, si dhe gatishmëri për pjesëmarrje aktive në procesin 12-mujor të mbështetjes.
Çdo media do të duhet:
- Të caktojë të paktën një person për komunikim dhe koordinim;
- Të marrë pjesë në një vlerësim të shkurtër fillestar të faqes së internetit, mjeteve digjitale dhe nevojave të medias;
- Të marrë pjesë në tri trajnime të shkurtra online, një punëtori me pjesëmarrje fizike (me shpenzime udhëtimi të mbuluara) dhe takime të shkurtra periodike mentorimi (afërsisht një herë në tre muaj);
- Të bashkëpunojë me ekipin tonë për përfshirjen e mjeteve të reja dhe zgjidhjeve teknike në punën e përditshme;
- Të ndajë shkurtimisht përvojën se sa e kanë ndihmuar mjetet gjatë programit.
Si do të bëhet përzgjedhja?
Aplikimet do të vlerësohen nga një komision i përbërë nga ekspertë të medias, sipas kritereve të standardizuara:
- Nevoja për mbështetje digjitale dhe teknologjike;
- Gatishmëria dhe vullneti i ekipit për të sjellë risi në punë;
- Rëndësia e medias për komunitetin lokal;
- Respektimi i standardeve gazetareske dhe interesit të publikut;
- Do të synohet larmia rajonale, me vëmendje të veçantë ndaj mediave që punojnë në zona rurale, zona me mbulim të pamjaftueshëm mediatik ose komunitete lokale.
Si të aplikoni?
Plotësoni formularin e aplikimit jo më vonë se më 16 tetor 2026.
Në aplikim ju kërkohet të jepni:
- Të dhëna bazë për median dhe një person kontakti;
- Lidhje drejt faqes së internetit dhe kanaleve kryesore digjitale;
- Zonën, audiencën dhe gjuhën ose gjuhët e raportimit;
- Madhësinë e ekipit redaktues;
- Sfidat kryesore me të cilat përballeni;
- Një shpjegim të shkurtër të interesit për pjesëmarrje dhe përmirësimeve që dëshironi të arrini;
- Konfirmim të gatishmërisë për pjesëmarrje aktive.
Mbështetje falas me pavarësi të plotë editoriale
Të gjitha shërbimet në kuadër të projektit janë falas për mediat e përzgjedhura. Mbështetja ofrohet përmes shërbimeve, mjeteve, trajnimeve dhe mentorimit, dhe jo përmes granteve të drejtpërdrejta në para. Pas përfundimit të projektit, shpenzimet për vazhdimin eventual të abonimeve me pagesë do të jenë përgjegjësi e medias. Në fazën përfundimtare, pjesëmarrësit do të marrin mbështetje për përzgjedhjen e alternativave të përballueshme. Burimet e hapura arsimore (kurset elektronike në platformën Journalism Now dhe materialet në Journalift) do të mbeten të disponueshme falas edhe më tej.
Për informacione të mëtejshme dhe pyetje, shkruani në:
[email protected]